august 22, 2024

Syvjeshta ime,

Megjithëse kam shkruar gjithmonë, përherë e kam pas gjetur të vështirë që "t'a vesh zemrën në mëngë" siç ka thënë Shekspiri ku t'i ke marrë emrin që i shkon tepër kryeveprës që je. Shkrimet e mia kanë qenë krijime ku vetja ime dhe ndjesitë e mia ka qenë e zhytur në trillime e grumbuj t'pafund metaforash ku askush përveç meje nuk mundej t'i deshifronte. Gjë e cila i jepte komfort shpirtit tim i cili edhe pse ndihej i vetmuar, ishte i sigurtë. Përherë mendoja që botës nuk mundesha t'i besoja shpirtin e zemrën time. Por para pak kohësh gjeta një botë të re. Një botë krejt ndryshe.

Të përshkruash ty Dezdemona duket si gjëja më e lehtë dhe më e pamundur në të njejtën kohë. Unë mund të them kollaj që ti je tepër e bukur por nuk mundem të përshkruaj se si më rregullohet dita kur të shoh. Mundem të them që je empatike po nuk e shpreh dot sa i lirë ndihem të ndaj çdo gjë me ty. Mundem të them që je inteligjente dhe plot ëndërra por nuk e shpjegoj dot sa dëshirë kam të dëgjoj teksa flet dhe shprehesh për gjënë më të vogël a më të madhe që të bën përshtypje. Mundem të them që je dashuri por nuk e shpreh dot sa shumë të dua ty.

Dezi, je e mrekullueshme. Ndoshta nuk kemi fort kohë që njihemi por di ta them me siguri që je e mrekullueshme. Ke një shpirt kristali që pastron zemrën e çdokujt që ndeshet me ty. Je një qenie plot dashuri, dhe për këtë fact Meriton krejt dashurinë e universit. Je koncepti ideal që çdokush do donte të ishte. Je forma utopike e njeriut që duket e paarritshme. Je një botë e cila unë mundem t'i fal shpirtin e zemrën time sepse e di që do jenë të sigurtë por jo të vetmuar. Je bota ime dhe të dua pafund.

Shumë vite nga sot, në këtë orë, do të jemi bashkë në shtëpinë tone (Zogaj, buzë liqenit), me ëndërrat tona të realizuara dhe akoma përplot me dashuri për njëri - tjetrin. Mezi pres për vitet që do shpenzoj me ty, mezi pres që të jem i përmbushur, me ty. Shpresoj të të jap gjithë dashurinë që meriton. Të dua shumë rreze dielli.